Gazeta e Unionit
Gjatë periudhës së fundvitit 2008, UGSH vazhdon të kryesojë zërat në mbrojtje të të drejtave të gazetarëve profesionistë në vend si dhe është e vetmja organizatë sindikale që mbron me fanatizëm domosdoshmërinë e nënshkrimit të kontratave kolektive të gazetarit. Në Konferencën për shtyp të përmuajshme, deklarohen arritjet në këtë aspekt si dhe raportohet për gjendjen faktike, cilat media janë më problematike në mosrespektimin e këtyre kontratave dhe të të drejtave sociale të gazetarëve.
UGSH i ka bërë thirrje qeverisë dhe Parlamentit të vendit t’i japin fund situatës informale të punëdhënies në mediat kombëtare publike dhe sidomos në ato lokale.Për këtë qëllim UGSH në muajin dhjetor i Drejtohet Komisionit parlamentar të mediave me një shkresë informuese dhe me një apel publik për verifikimin e kushteve dhe mundësive kritike që ka aktualisht elementi sindikal në mediat publike të vendit. UGSH u kërkon këtyre institucioneve që mbartin përgjegjësinë dhe autoritettin ligjor të ushtrojnë presionin e nevojshëm për mundësimin e veprimtarisë së degëve të UGSH-së në mediat publike, nënshkrimin e kontratave të punës për vitin 2009, mbi bazën e kon tratës tip kolektive dhe sipas standarteve të parashikuara nga Kodi i Punës së Republikës.
UGSH ka për objektiv nënshkrimin e kontratave kolektive në katër media kombëtare private dhe vijimin e negociatave me pronarë dhe administratorë të mediave në vend.
UGSH ndjek procedurat ligjore për akordimin e disa pensioneve të posacme për gazetarë profesionistë të cilët kanë dalë në pension dhe aktualisht gëzojnë të gjithë mundësitë për pasjen e një trajtimi financiar favorizues.
UGSH në 3-mujorin e parë të vitit 2009 do t’i paraqesë Komisionit Parlamentar të mediave dhe qeverisë draftin-matricë të Statusit të gazetarit të Lirë në vend, i cili mund të përfshihet në projektligjin në përgatitje për shtypin.
UGSH në 6-mujorin e parë të vitit 2009 përfundon hartimin e një raporti të plotë për situatën sociale dhe problemet që shfaqen në tregun mediatik shqiptar gjatë harkut kohor të pesë vjetëve të fundit ( 2003-2008), raport i nxjerrë pas shpërndarjes së një pyetësori të hartuar prej UGSH-së dhe të arshivuar pranë selisë së UGSH-së prej Kordinatorëve dhe anëtarësisë. Raport i cili mund të konsiderohet i pari i këtij lloji dhe që përfshin të dhëna të plotësuara prej 600 gazetarëve që ushtrojnë profesionin e tyre në media të ndryshme të vendit.
Gjatë vitit 2009 UGSH planifikon të sigurojë anëtarësimin në Federatën Botërore të Gazetarëve duke mundësuar edhe derdhjen e kuotizacioneve që rrjedhin nga të qenit anëtar i këtij asosacioni ndërkombëtar të gazetarëve profesionistë.
UGSH gjatë vitit 2009 përfundon shpërndarjen e kartave të anëtarësisë dhe përmes negociatave me Ministrinë e Jashtme të Vendit, në kuadër të marrëveshjeve bilaterale dhe multilaterale të realizojë lehtësimin e lëvizjes së gazetarëve profesionistë në vendet e BE-së.
UGSH shpreh bindjen se niveli aktual i 65 për qind të gazetarëve të siguruar të ngrihet në masën 80 për qind gjatë periudhës 2009. Ky objektiv bazohet mbi njohjen reale të vështirësive dhe situatës për cdo institucion mediatik.
UGSH do të vazhdojë paditjen në organet e gjykatës të rasteve të shkeljes së konrtatave të punës si dhe të shkeljes së të drejtave që burojnë nga mosrespektimi i partneritetit nga ana e punëdhënësve mediatikë të vendit.
UGSH gjatë këtij viti pretendon ngritjen e solidaritetit komunitar dhe bashkimin në reagime më imponuese për përmirësimin e gjendjes dhe të statusit social të gazetarit profesionist shqiptar.
UGSH është i gatshëm për afrimin e avokatisë për rastet më tipike të shkeljes së të drejtave të gazetarit dhe të dhunimit të kontratave të punës.
UGSH do të intensifikojë marërdhëniet dhe përpjekjet me organizma dhe donatorë të huaj për fuqizimin e integritetit dhe autoritetit të vet si organizata më aktive dhe më e besueshme në vend e gazetarëve profesionistë.

