Deklaratë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë
Denoncojmë dhunën financiare mbi gazetarët dhe shtimin e radhëve të papunësisë në komunitetin e gazetarëve profesionistë
Unioni i Gazetarëve doli sot publikisht për të denoncuar atë që e konsiderojmë si dhunë financiare mbi gazetarët. Brenda këtij muaji Unioni i gazetarëve ka dalë disa herë publikisht për të shprehur shqetësimet e tij ndaj situatës kritike sociale të gazetarëve.
Unioni i gazetarëve konstaton me shqetësim të madh se gjatë muajve të fundit janë shtuar vështirësitë financiare në shumicën e mediave më të rëndësishme të vendit. Për rrjedhojë shumë gazetarë kanë mbetur pa punë dhe disa të tjerë rrrezikohen të humbasin vendet e punës.
Brenda këtij realiteti, spikasin edhe reagimet meskine të disa drejtuesve të lartë të administratës publike, të cilët në emër të një servilizmi politik po penalizojnë familjarët dhe të afërmit e gazetarëve që shquhen për një reagim të fuqishëm oponencial ndaj qeverisjes, kryeministrit dhe politikës aktuale.
Unioni i Gazetarëve shpreh shqetësimin e tij dhe kërkon sqarime prej autoriteteve që kanë pushuar nga puna motrën e gazetarit Mustafa Nano, motrën dhe bashkëshorten e gazetarit Andrea Stefani. Nuk gjejmë asnjë arsye të shkruar për largimin e këtyre bashkëfamiljarëve dhe të afërmve të gazetarëve të shquar, të cilët kryesojnë sot mendimin kritik ndaj qeverisë.Këto janë akte që shprehin një hakmarrje për motive profesionale dhe që në thelbin e tyre lexohen si akt i pastër terrori financiar mbi gazetarët dhe familjet e tyre. Një pjesë tjetër gazetarësh me kontribut profesional përjetojnë aktualisht ankthin e mungesës së të ardhurave financiare dhe të spostimit për shkaqe të preferencave që burojnë nga tregu i zi i punës në mediat tona.
Jemi sot para selisë së Televizionit Kombëtar “Arbëria” për të denoncuar sjelljen e turpshme me stafin e këtij Televizioni.
Kolegët tanë dhe krejt stafi i këtij televizioni kanë tre muaj që nuk kanë marrë pagat e tyre. Ata reaguan ndaj këtij arbitrariteti të shëmtuar dhe u mbështetën prej Unionit të Gazetarëve, por si kundërpërgjigje morën urdhrin për mbylljen e Televizionit.
Askush nuk i del zot kësaj gjendjeje dhe disa prej institucioneve të linjës bëjnë të pafuqishmin për t’i dhënë zgjidhje këtij konflikti financiar dhe social.
Unioni i Gazetarëve duke qenë i vendosur në mbrojtje të të drejtave dhe të përmirësimit të kushteve të gazetarëve, ju bën me dije dhe ju fton që ditën e hënë, datë 14 korrik, në orën 18.00 të protestojmë para selisë së Parlamentit shqiptar në emër të këtij Solidariteti për vetveten! Në këtë tubim ne do t’i drejtohemi institucionit më të lartë ligjbërës të vendit për ta parë seriozisht situatën dhe gjendjen sociale të gazetarëve dhe mediave shqiptare. Konfirmojmë se në këtë tubim kemi edhe mbështetjen e organizatës qytetare MJAFT.
12/07/2008

