Deklaratë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë
Deklaratë solidariteti e Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë në mbështetje të redaksisë së të përditshmes “Lajmi” në Shkup
Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë shpreh solidaritetin dhe reagimin e vet publik në mbështetje të kolegëve dhe stafit të gazetës së përditshme shqiptare “Lajmi”, e cila prej gati dy javësh ka ndërprerë botimin e saj. Lajmi shqetësues për ndaljen e botimit të gazetës, për shkaqe të bojkotit dhe arbitraritetit ekonomiko-financiar me support qeverisësit e vendit fqinj, konsiderohet ogur i keq për lirinë dhe situatën mediatike në vendin fqinj dhe vecanërisht për kolegët tanë shqiptarë në këtë republikë. Urdhrat autoritariste të qeverisësve maqedonas dhe bashkëkolegëve të tyre në këtë vend, për bllokimin e gjithë mundësisë për marketing dhe menaxhim ekonomiko-financiar për llogari të gazetës së përditshme, shprehin një presion dhe dhunë konkrete që ushtrohet në tregun e vogël mediatik të këtij vendi. Ky shqetësim bëhet edhe më i madh kur ka të bëjë me gazetarët shqiptarë, mundësitë e të cilëve në këtë treg janë më të kufizuara dhe ku balanca për shkaqe të njohura dhe të deklaruara është gjithmonë në disfavor të tyre.
Denoncimi që kolegët e së përditshmes “Lajm” bëjnë në adresë të qeverisë, ministrive dhe institucioneve të republikës fqinjë duhet marrë si një akuzë e hapur e cila kërkon vlerësim të opinionit mbarëshqiptar, porn ë mënyrë të veçantë të organizatave dhe asosacioneve rajonale dhe komunitare të gazetarëve. Si organizata më aktive e komunitetit të gazetarëve të Shqipërisë, Unioni i Gazetarëve përmes kësaj deklarate shpreh mbështetjen e vet dhe solidaritetin, duke u kërkuar autoriteteve të vendit fqinj dhe organizmave shqiptarë të reagojnë me qytetari ndaj sjelljeve të tilla, të cilat jo vetëm shkatërrojnë kriteret e konkurencës së drejtë, jo vetëm krijojnë disbalanca në tregun mediatik të një vendi me heterogjenitet etnik, por krijojnë mundësi të shantazhimit të lirisë dhe të së drejtës universale të gazetarit dhe të së drejtës për informim.
Fakti që kolegët e gazetës “Lajmi” kanë apeluar për ndihmë dhe solidaritet në gjithë hapësirën shqiptare, flet për ezaurim të ankesës pranë autoritetit dhe dëgjueshmërisë së institucioneve dhe opinionit publik vendas.
Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë në respekt të këtij solidariteti konfirmon pjesëmarrjen e vet një një reagim ankues gjatë prezencës së paralajmëruar të kryeministrit të Maqedonisë në Tiranë në ditët e afërta. Unioni i gazetarëve fton anëtarët dhe kolegët për të qenë pjesëmarrës në këtë reagim apelues ndaj autoriteteve të politikës.
22/01/2008

