Menu:

back

Deklaratë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë

Shpërthimi në selinë e gazetës “Shekulli” një kërcënim mbi gazetarët dhe institucionin e rëndësishëm mediatik

Shperthimi i ndodhur gjatë orëve të vona të mbrëmjes të së dielës në mjedisin e redaksisë së gazetës së rëndësishme shqiptare “Shekulli”, vazhdon të mbetet ende pa autor. Ky akt i cilësuar si terrorist ndaj një institucioni privat të medias, përbën në vetvete një paralajmërim serioz për shtypin dhe njerëzit e medias në tërësi. Kjo ngjarje ka shkaktuar tërheqjen e vëmendjes për gjithë komunitetin e gazetarëve shqiptarë dhe vecanërisht të të gjitha institucioneve mediatike në vend. Shpërthimi i mbetur pa autorë përgjegjës dhe me qëllim ende të pazbardhur e bën edhe më të vazhdueshëm shqetësimin e gazetarëve dhe përfaqësuesve mediatikë në tërësi. Në vetvete kjo ngjarje shton kronikën e akteve të dhunshme të ngjara në vend, jo vetëm në mjediset e institucioneve mediatike, por edhe ndaj gazetarëve të vecantë të shtypit dhe medias audiovizive. Shtimi i rasteve të dhunshme dhe mbërritja deri tek rasti i shpërthimit në selinë e gazetës “Shekulli”, janë shenja të përsëritura të shantazhit dhe kërcënimit që krimi dhe struktura të tij përpiqen të ushtrojnë mbi fjalën e lirë, mbi misionarët e nderuar të saj dhe institucioneve që kontribuojnë për përsosjen dhe kontributin e mëtejshëm në këtë aspect të lirisë së shoqërisë.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë reagon fuqishëm ndaj këtyre kërcënimeve, shpreh solidaritetin dhe përkrahjen e vet ndaj gjithë pjestarëve të gazetës “Shekulli” dhe kërkon me këmbëngulje prej autoriteteve shtetërore të zbardhin ngjarjen dhe të venë para ndëshkimit ligjor autorët e saj. Unioni i Gazetarëve Shqiptarë konstaton se shpeshtimi i rasteve kërcënuese mbi mediat dhe përfaqësuesit e saj, është një presion i hapur mbi autoritetin dhe rolin që gazetaria shqiptare ka fituar në këtë periudhë të tranzicionit, duke qenë një pushtet real i konsoliduar në funksion të përparimit të shoqërisë shqiptare.

20/12/2005