Menu:

back

Deklaratë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë

Të ndëshkohet ligjërisht njeriu i Drejtësisë që dhunoi gazetarin

Njeriu i drejtësisë duhet të vihet përballë drejtësisë. Gjyqtari  i Gjykatës së Matit Murat Lleshi, në sjelljen e djeshme ndaj gazetarit të  emisionit “Fiks Fare” Fon Ilia ka dëshmuar se sa dhunë mund të fshihet në ndërgjegjen e disa përfaqësuesve të sistemit të drejtësisë edhe në marrëdhënie me njerëz të medias dhe shtypit të lirë.
Sjellja skandaloze, kërcënimi dhe rrezikimi potencial i jetës së gazetarit, të sjellë në kamerën e TV “Top-Channel” kanë tronditur realisht gjithë komunitetin tonë profesional. Unioni i Gazetarëve shpreh fuqimisht solidaritetin e vet me kolegun Ilia dhe kërkon nga autoritetet e larta dhe sidomos nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë një hetim të menjëhershëm dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të gjyqtarit që ndërsa i shmangej intervistimit të gazetarit dhe kamerës së tij, lëshonte kërcënime dhe rrezikoi realisht edhe jetën e tij. Një pamje e tillë jo vetëm diskrediton këtë gjyqtar, misionin e tij, por ekspozon më së miri se sa agresivë janë disa nëpunës të sistemit të drejtësisë në marrëdhënie me mediat dhe me publikun.
Unioni i Gazetarëve vlerëson me këtë rast kurajon e kolegut Ksenofon Ilia, këmbënguljen e tij profesionale dhe vendosmërinë përballë kërcënimit, presionit dhe deri dhunës fizike që u ushtrua mbi të, ndërsa kryente detyrën e zakonshme të gazetarit profesionist. Në të njëjtën kohë mbështesim denoncimin që kolegu ka bërë ndaj gjyqtarit në organet lokale të drejtësisë, duke kërkuar nga këto autoritete vlerësimin serioz të cështjes dhe ndjekjen e saj sipas procedurave ligjore me paanësi dhe drejtësi të plotë.