Menu:

back

Deklaratë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë

Institucionet ligjore të mbrojnë integritetin fizik dhe profesional të gazetarit

Imazhet e percjella nga sulmi fizik qe banore te fshatit Vërdovë ushtruan mbi gazetarin Marin Mema dhe trupën e xhirimit të televizionit Top Channel, janë një skandal më vete, i cili fatkeqësisht bëhet një imazh i keq për sigurinë dhe mundësinë e ushtrimit të profesionit të gazetarit shqiptar. Kjo sekuencë është po ajo që kemi përjetuar në rastin e dhunës mbi gazetarët Mero Baze dhe Astrit Patozi në Gjirokastër në vitin 2005 apo në rastin e Gent Dervishit në Himarë në vitin 2003.
Sekuenca të tilla dhe dhuna e ushtruar në një zonë ku zhvillohej tur zgjedhor në vitin 2007, dëshmojnë se në c’situata dhe rrethana gjendet gazetari shqiptar, kur në vend ka zgjedhje dhe kur palët politike konkurojnë përmes përdorimit të dhunës dhe njerëzve të dhunshëm.
Duke e denoncuar këtë rast dhe shembujt e mëparshëm, Unioni i gazetareve shqiptare  kërkon që institucionet ligjore në vend të reagojnë menjëherë. Ky reagim nuk na duhet me fjalë, por me ndërmarrje konkrete veprimesh dhe aktesh plotësuese ligjore. Legjislativi shqiptar në kuadër të përgatitjes së ligjit të plotë për mediat dhe lirinë e shtypit duhet të sanksionojnë mbrojtjen ligjore të integritetit të gazetarit, kurdo dhe kudo.
“Unioni i Gazetarëve” i kërkon Komisionit Parlamentar të Mediave të nisin negocimin me asosacionet e gazetarëve dhe grupet e interesit të mediave për të formuluar një bazë ligjore të saktë në mbrojtje të gazetarit dhe të së drejtës së ushtrimit të profesionit për cdo situatë dhe rast. Kjo kërkesë e jona, në mënyrë konkrete lidhet me detyrimet që Qeveria dhe legjislativi shqiptar ka për plotësimin e standarteve në përgjithësi dhe ato të së drejtës për informim në vecanti.

18/06/2007