Deklaratë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë
Unioni i Gazetarëve shpreh ngushëllimet dhe mirënjohjen për kolegun kroat të atentatuar prej krimit
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dënon me forcë aktin terrorist, si pasojë e të cilit nga shpërthimi i një bombe gjetën vdekjen kolegu i shquar kroat Ivo Pukanic dhe shefi i marketingut Niko Franjic.
Ky akt terrorist mbi një gazetar të profilit të lartë, shënon një sulm të drejtëpërdrejtë të krimit mbi profesionin e gazetarisë në krejt rajonin e Ballkanit. Prej këtij krimi kërcënohen gjithë gazetarët e guximshëm dhe të përgjegjshëm për kontribut në rajonin tonë. Krimi me këtë akt tronditës, kërkon të sfidojë pushtetin e katërt dhe gjithë pushtetet që garantojnë sistemin e demokracisë në një rajon që jeton ende periudhën e fundit të tranzicionit postkomunist.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjarët dhe bashkëkolegët e gazetarit dhe punonjësit tjetër të medias kroate dhe shpall solidaritetin e vet publik. Unioni i Gazetarëve Shqiptarë vlerëson lart kontributin dhe shpreh mirënjohjen për vlerat profesionale të kolegut të martirizuar për shkak të detyrës.
25/10/2008

