Menu:

back

Deklaratë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë

Dhuna mbi kolegun Luan Kondi është e patolerueshme

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë denoncon me forcë dhunën e ushtruar në afërsi të mjedisit të redaksisë së Gazetës “Albania”, ditën e premte, datë 19/12/2008, rreth orës 15.00 ndaj kolegut Luan Kondi, zëvendëskryeredaktor I së përditshmes “Albania”. Goditjet fizike të personave ende të paidentifikuar plotësisht, me qëllim ende të pazbardhur mbi gazetarin Kondi, anëtar i organizatës sonë profesionale, janë akt kërcënues për cdo gazetar profesionist të vendit.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, si organizata me mbi 620 anëtarë dënon ashpër dhunën dhe vecanërisht dhunuesit dhe kryesit e këtij krimi.
Unioni I Gazetarëve u kërkon autoriteteve policore që merren me hetimin e ngjarjes të zbardhin motivet reale të dhunës, të venë para përgjegjësisë ligjore autorët dhe të kontribuojnë në rritjen e sigurisë dhe mbrojtjes së gazetarëve, të cilët përmes profesionit të tyre po kontribuojnë si askush tjetër në afirmimin e lirisë dhe të të drejtave të qytetarëve shqiptarë.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë gjen rastin t’u drejtohet institucioneve më të larta të vendit se ndërsa kemi hyrë në vitin elektoral, në paketën e ligjit elektroal duhen fiksuar edhe nene të cilat garantojnë mbrojtjen dhe mundësimin ligjor të ushtrimit të profesionit të komunitetit të gazetarëve shqiptarë.
Unioni i Gazetarëve duke shprehur solidaritetin e fuqishëm me kolegun Kondi, u bën me dije autoriteteve të policisë dhe drejtësisë se do të ushtrojë gjithë presionin për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje e cila cënon jo vetëm sigurinë e gazetarëve, por edhe imazhin e demokracisë dhe institucioneve ligjore të vendit.
Unioni I Gazetarëve konfirmon edhe një herë angazhimin e vet për  mbrojtjen e të drejtave  të gazetarëve dhe për përfaqësimin e tyre në nismat që sjellin përmirësime ligjore në realitetin e gazetarisë profesionale.
Kjo dhunë dhe sjelljet e tjera të dhunshme mbi gazetarët janë krejtësisht të patolerueshme për gjithë anëtarësinë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë.
Mbetemi në pritje të zbardhjes dhe ndëshkimit të autorëve të kësaj dhune, ndërkohë që në rast të vonesës, reagimi ynë do të jetë shumë i shpejtë dhe intensiv.

21/12/2008