Menu:

back

Deklaratë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë - Dega Gjirokastër

Unioni i Gazetarëve të Gjirokastrës, me anë të kësaj deklarate, shpreh shqetësimin e anëtarëve të tij për cilësinë e disa shërbimeve publike dhe private që lidhen me shpejtësinë dhe kualitetin e profesionit të gazetarit për informimin e publikut. Gjatë punës në disa prej pikave private të shërbimit të internetit, gazetarët tanë janë të detyruar të përballen me ndërprerje të sinjalit, me mjete të ngarkuara me viruse, me shkëputje të rrjeteve kompjuterike, vonesa në transmetimin e materialeve dhe sidomos të fotografive me rezolucion të lartë etj.
Unioni i Gazetarëve të Gjirokastrës, u bën thirrje organeve kompetente të kontrollit teknik të standarteve dhe financiare si dhe të Tatim-Taksave, që të ushtrojnë kontroll dhe presion mbi këto subjekte të biznesit me qëllim që të respektojnë standartet e shërbimit ndaj publikut.
Nëse këto subjekte nuk përmirësojnë logjistikën informatike në përdorim, nëse nuk rrisin kapacitetin e transmetimit të sinjalit, nëse nuk respektojnë standartet e shërbimit, të zbatohen ndaj tyre sanksionet ligjore duke filluar nga gjobat, e deri tek mbyllja e aktivitetit e këtyre subjekteve të cilat me standartet aktuale që servirin, mashtrojnë përdoruesit e internetit.
Unioni i Gazetarëve të Gjirokastrës, është në pritje të marrjes së masave konkrete pasi standartet aktuale, rezultojnë të pa-pranueshme nga ne.

16/08/2008