Menu:

back

Deklaratë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë

Dhimbje për kampionin shqiptar të standartit dhe investimit teknologjik në media

Mediat shqiptare dhe i gjithë komuniteti profesional i gazetarëve përjeton dhimbjen e humbjes së investitorit më të fuqishëm në tregun e sotëm mediatik të vendit. Dritan Hoxha mbetet aktualisht kampioni i suksesit dhe i ngritjes së nivelit teknologjik të mediave shqiptare, duke iu afruar gjithnjë e më shumë modelit të avancuar të vendeve europiane. Ai hyri në këtë fushë investimi, jo vetëm me ambicien, por me një vizion përmbysës dhe kurajues që bashkëshoqërohej me vlerësimin maksimal të aftësive dhe vlerave të profesionistëve të medias në të gjitha sektorët.
Së pari ngritja dhe renditja në krye të radiove më të dëshiruara në rajon e Top-Albania Radio-s dhe më pas fuqizimi deri në licensimin si kanal kombëtar i Televizionit “Top-Channel”, ishin triumfet e para të këtij investitori të fuqishëm dhe garues që kapërceu kufijtë rajonalë. Emri i Dritan Hoxhës do të mbetet i shënuar në historinë e re të mediave shqiptare si rasti i individit që e klasifikoi vendin e tij në këtë fushë të integruar më shpejt dhe më cilësishëm se në cdo sektor tjetër të teknologjisë. Kompania mediatike që ai madhoi gjatë këtyre 10 vjetëve, konsiderohet tashmë njëzëri prej komunitetit të gazetarëve shqiptarë dhe atyre në krejt rajonin tonë, si një ndër resurset kryesore të zhvillimit teknologjik dhe si pjesa me moderne e instrastrukturës mediatike  në Ballkan.
Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë i shpreh ngushëllimet familjes së tij, gjithë stafeve të Kompanisë “Top-Media” dhe gjithë bashkëpunëtorëve të Tij në sektorin e mediave.
Largimi aksidentalisht nga jeta i Dritan Hoxhës, shkakton një humbje e cila do të ndihet gjatë.
Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë shpreh vlerësimet e veçanta për këtë investitor të guximshëm dhe këtë adhurues të garës së parreshtur të zhvillimit teknologjik dhe profesional, i cili ishte edhe një ndër partnerët tanë më seriozë në misionin për standart dhe kualitet profesional. Me largimin e tij të beftë nga jeta, ne kemi humbur një aleat dhe një partner i cili do të kujtohet si i rrallë për shkak të manisë që kishte ndaj cilësisë dhe standartit.

23/05/2008