back
Deklaratë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë
Studentët diplomantë të fakulteteve të Gazetarisë meritojnë diploma të njohura institucionalisht dhe që legjitimojnë investimin e tyre për nivelet e formimit profesional
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së një përfaqësie të studentëve të Fakultetit të Gazetarisë së Universitetit Publik të Tiranës për t’u solidarizuar me kërkesën e tyre drejtuar rektoratit dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për refuzimin e modelit të paraqitur aktualisht si diplomë e tyre për nivelin 3-vjeçar.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë përmes kësaj deklarate shpreh qëndrimin mbështetës ndaj kërkesës së studentëve diplomantë të gazetarisë dhe u drejtohet institucioneve të linjës dhe drejtuesve të lartë shtetërorë, kryeministrit Sali Berisha dhe vecanërisht rektorëve të universiteteve që kanë fakultete gazetarie, ministrit të Arsimit dhe Shkencës zotit Fatos Beja, të reagojnë menjëherë për rishikimin e vendimit dhe nëse është e nevojshme edhe amendimin e ligjit që rregullon njohjen dhe klasifikimin e diplomave.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë shpreh mbështetjen e plotë për kërkesat e studentëve dhe konstaton se ky problem i hapur është shprehje e realitetit informativ që dominon realitetin mediatik të vendti tonë, i cili sic dëshmon edhe problemi i diplomimit të studentëve të gazetarisë nuk nis e mbaron vetëm nëpër gazeta dhe ekranet televizive, por fatkeqësisht fillon qysh tek injorimi i diplomave të studentëve të gazetarisë nëpër fakultetet publike.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë duke qenë solidar dhe mbështetës i vendosur i kërkesave të studentëve paralajmëron se nëse autoritetet e institucioneve përkatëse nuk do të reagojnë në kohë pro kërkesave të studentëve, do të përballen me reagimet e mëtejshme dhe instensifikim të vendosmërisë së studentëve dhe komunitetit të gazetarëve profesionistë të vendit, deri në realizim të tyre sipas standartit dhe sistemit të miratuar zyrtar, atij të Bolonjës. Kopjimi informal që i bëhet këtij sistemi, cimenton tranzicionin në gazetarinë shqiptare dhe i zgjat jetën informalitetit. Ne jemi të vendosur ta pengojmë këtë jetëgjatësi të informalitetit në shkollën dhe tregun tonë mediatik.

