Menu:

back

Deklaratë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë

Kjo është dhunë dhe dhuna meriton ndëshkim

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë reagon ashpër ndaj dhunës së ushtruar dhe ndalimit të  padrejtë në krye të detyrës, të reportërit të “Gazeta Shqiptare” dhe TV News 24, Gerti Xhaja. Akti në fjalë përbën një rast të rëndë të dhunës së ushtruar mbi gazetarin nga policë dhe punonjës të Ministrisë së Brendshme. Incidenti në fjalë rikthen në  vëmendje kronikën e rasteve të ndodhura në vend dhe konsiderohet prej Unionit të Gazetarëve Shqiptarë si akt që kërkon solidarizim dhe reagim të menjëhershëm të të gjithë komunitetit të gazetarëve shqiptarë. Dhuna e policëve dhe indiferenca e shefave të tyre në Lushnjë ndaj kolegut Xhaja, dëshmon se sa larg principit të qeverisë aktuale, janë këta individë dhe segmente të ngjashme. Jo pak kohë më parë policia në Gjirokastër bëri të paaftën për të gjetur dhunuesit e kolegut Engjëll Seriani, ndërkohë që dhuna ndaj gazetarit Gerti Xhaja e le pa asnjë justifikim këtë polici.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë kërkon prej Ministrit të Brendshëm që brenda një kohe të shkurtër të reagojë me fuqinë që i jep autoriteti ligjor për ndëshkimin dhe penalizimin e këtyre dhunuesve të papërgjegjshëm. Sjellja dhe akti I tyre ëështë një shembull ndëshkues për nivelin e demokracisë dhe respektin e ligjit në shoqërinë dhe vendin tonë.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë deklaron se nëse ndëshkimi dhe vënia para ligjit e personave përgjegjës do të vonohet, atëhere do të ndërmarrë veprimtari reaguese publike!

19/02/2006