Menu:

back

Deklaratë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë

Të hetohet seriozisht djegia e autoveturës së gazetarit Mero Baze, të gjenden autorët dhe të zbardhet qëllimi

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë shpreh publikisht shqetësimin e tij për sigurinë e jetës së gazetarit të njohur Mero Baze, pas aktit të natës së mbrëmshme, ku pranë banesës së tij në Tiranë, në rrethana dhe prej personave ende të panjohur iu vu zjarri autoveturës private.
Ky akt, pason disa përplasje të gazetarit të njohur, njëherazi drejtor i së përditshmes “TEMA”, me përfaqsues të lartë të pushtetit qeverisës. Kolegu  Mero Baze njihet tashmë, si njeri prej gazetarëve më kritikë ndaj qeverisë dhe kryeministrit Sali Berisha.
Djegia e automjetit të tij, pranë pallatit ku gjendet apartamenti i banimit është një akt që shton dyshime dhe paralajmëron kërcënim për gazetarin Baze.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë u kërkon autoriteteve të hetimit dhe policisë, të investigojnë për gjetjen e autorëve dhe zbardhjen e qëllimit të këtij zjarri mbi automjetin e gazetarit. Ky akt ende i pazbardhur, për shumëkënd, mund të konsiderohet i qëllimshëm.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë i kërkon kryeministrit të vendit dhe autoriteteve të larta institucionalë të ushtrojnë kompetencat e tyre për ndaljen e çdo akti shantazhues apo kërcënues si dhe të rrisin masat e sigurisë për gazetarin Mero Baze dhe familjen e tij.

31/12/2008